Në Shkodër ka nisur punimet Forumi Rinor Ndërkombëtar “BalCARE”, një iniciativë që mbledh dhjetëra të rinj nga 13 vende të ndryshme të Mesdheut si: Shqipëria,Italia, Serbia, Greqia, Maroku etj.
Ky aktivitet synon të krijojë hapësirë dialogu midis të rinjve mbi të drejtat gjinore, avokacinë, ndërveprimin qytetar, si dhe nisma të përbashkëta për mbrojtjen e klimës dhe të planetit.
Në takim morën fjalën zëvendësrektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Blerta Dragusha si dhe zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër Teuta Qyteza. Ata u ndalën në rëndësinë e aktivizimit të të rinjve në iniciativat e lidhura me to.
Punimet e forumit do të kulmojnë më 21 nëntor në Tiranë, ku të rinjtë do të prezantojnë idetë, çështjet dhe nismat e tyre përpara një audience ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e një rrjeti më të gjerë europian për ndryshime pozitive dhe përfshirje rinore.
