Rasti tronditës i Alma Ismailajës, e cila humbi dalmatin e saj 3-vjeçar Pikaso pak javë më parë, ka sjellë sërish në vëmendje një fenomen të rrezikshëm që po përhapet me shpejtësi në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Qeni konsumoi ushqim të helmuar me fosfor organik në sheshin “Skënderbej”, në hapësirën e gjelbërt pranë monumentit, aty ku gjatë ditës luajnë edhe fëmijë.
“Pikaso gjeti diçka përdhe dhe pas pak minutash filloi të dridhej, nxori shkumë nga goja… çdo gjë ndodhi aq shpejt. E çova me urgjencë në spitalin e kafshëve, por nuk arriti të mbijetojë,” tregon Alma, e cila thotë se ngjarja ka qenë një traumë e rëndë. Mjekët konfirmuan helmim të rëndë me fosfor organik.
Ajo shton se e shqetëson më shumë indiferenca e përgjithshme ndaj kësaj situate, ndërsa thekson se helmi i hedhur për kafshët endacake po vret edhe kafshët e shtëpive:
“Jeta e tyre vlen njësoj. Kush e sheh ndryshe është pjesë e problemit.”
Organizatat për mbrojtjen e kafshëve njoftojnë se të enjten, në orën 11:00, në sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet një protestë kundër helmimeve dhe dhunës ndaj kafshëve, me thirrjen që shoqëria të mos normalizojë aktet mizore.
“Nuk mund të pranojmë normalizimin e mizorisë. Kjo na prek të gjithëve. Vetëm së bashku mund t’i tregojmë vetes se jeta duhet mbrojtur.”



