Festa tradicionale e gështenjave në Krajën shqiptare të Malit të Zi nuk mungoi as këtë vit, duke shënuar edicionin e saj të 17-të në Ostros, fshatin qendror të trevës. Prej gati dy dekadash, kjo festë është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të zonës shqiptare matanë kufirit që tërheq qindra vizitorë, ku dominojnë ata nga Shkodra.

Kryetari i bashkësisë lokale të Ostrosit, Beqir Berjashi, vlerëson atmosferën që krijon çdo vit ky manifestim, duke theksuar rëndësinë e tij për ruajtjen e identitetit kulturor të Krajës. Më tej, kryetari Berjashi shton se hapja e pikës kufitare Zogaj–Skje pritet t’i japë një zhvillim të ri zonës.

Atmosfera festive u pasurua nga këngët tradicionale që përfshinë të gjithë të pranishmit. Mes artistëve të ftuar për këtë edicion ishte edhe këngëtarja e mirënjohur Leonora Jakupi, e cila u prit me entuziazëm nga publiku.

“Festa e Gështenjave” synon të evidentojë vlerat më të mira të zonës nga prodhimtaria tradicionale te trashëgimia kulturore duke e promovuar Krajën si një destinacion me potencial të madh turistik ende të pashfrytëzuar.