Nga Qamil Gjyrezi
Muzikantin e njohur shkodran Bepin Vjerdha e njoh gati prej 50 vitesh. Bepi ka qenë një prej nxënësve të parë të klasës së tunxhit në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova” Shkodër, i profesor Lekë Gjegjit në instrumentin e kornos. Ai kontribuon edhe sot me këtë instrument në Bandën Muzikore të qytetit të Shkodrës.
Krahas studimeve për instrumentin e kornos, Bepi ka luajtur edhe në instrumentin e bukur të kitarës. Me kitarën e tij, ai ka qenë prej vitesh pjesë e shumë grupeve muzikore të qytetit, të cilat kanë qenë pjesë e gëzimeve familjare. Ai ka luajtur me shumë muzikantë të mirë dhe është njohës shumë i mirë i muzikës qytetare të Shkodrës, të ahengut, krahas muzikës klasike dhe autorëve të muzikës serioze korale e instrumentale në Shkodër e në Shqipëri.
Bepi ka marrë pjesë edhe në grupet korale të qytetit, por kontributi i tij më i rëndësishëm është ai për edukimin muzikor në shkollën “Dëshmorët e Prishtinës” Shkodër. Ai ka mësuar me shumë pasion nxënësit e kësaj shkolle, notat e muzikës, duke dhënë një ndihmë të çmuar në jetën kulturore të Shkodrës me koret e fëmijëve dhe edukimin e shumë këngëtarëve të rinj. Bepin Vjerdha ka punuar edhe si punonjës kulture në Shkodër. Sot, ai vazhdon të mësojë me shumë pasion e profesionalizëm edhe fëmijët në kurset e kitarës.

Një kontribut të madh, Bepin Vjerdha e ka edhe në Bandën Muzikore “The Door”, me fëmijët me aftësi ndryshe. Mësues Bepi i ka mësuar dhe vazhdon t’u mësojë këtyre fëmijëve jo vetëm muzikën dhe instrumentet me të cilat luajnë, por i ka mbështetur në të gjitha aspektet, si psikolog dhe si prind. Banda Muzikore “The Door Albania” për fëmijët me aftësi të kufizuara është shpallur “Nderi i Qarkut Shkodër” në 20-vjetorin e saj. Me këtë rast, organizatori Kastriot Faci vuri theksin te rëndësia e përfshirjes sociale përmes artit dhe muzikës. Ndërsa drejtuesi artistik Bepin Vjerdha vlerësoi dy dekadat e punës dhe përkushtimit të kësaj trupe.
Para disa ditësh kemi luajtur në një koncert në Muzeun Historik të qytetit të Shkodrës me disa muzikantë. Në këtë koncert mori pjesë edhe Bepin Vjerdha me një instrument gati 150-vjeçar, i quajtur saze, instrument i vjetër i ahengut të Shkodrës. Me këtë rast zhvillova një intervistë me instrumentistin e njohur Bepin Vjerdha.

Intervista me Bepin Vjerdhën
– Profesor Vjerdha, si quhet instrumenti që luani dhe sa vjeç është?
– Ky instrument quhet saze me tela dhe mendoj se është rreth 150 vjeç.
– Ku është përdorur ky instrument, në cilin qytet?
– Ky instrument është përdorur në qytetin e Shkodrës. Sazen e kanë përdorur mbi një shekull më parë ahengçinjtë e parë të Shkodrës.
– Si është përdorur instrumenti i sazes, çfarë roli ka pasur në orkestër?
– Ky instrument, sazeja, është përdorur në vijën melodike të këngëve; ka luajtur meloditë dhe në “dyzen” është përdorur për shoqërim.
– Cilat kanë qenë pjesëtarët e Orkestrës së Ahengut?
– Pjesëtarë kanë qenë: Hila i Files – violinë; Man Boku – këngëtar; Simon Shpori – dajre; dhe Jak Kakarriqi ka luajtur në instrumentin e sazes.
– Çfarë roli ka pasur violinisti i shquar Mark Kaftalli tek ju? Si ka ndikuar ai për të shpjeguar ahengun e Shkodrës?
– Violinisti dhe kompozitori Mark Kaftalli më ka treguar se të gjitha pjesët janë me nota. Fillimi i ahengut shkodran është luajtur me saze. Pjesët e tjera kanë qenë me harmoni, janë luajtur harmonikisht. Sazeja luan me çerek-tonesh. Kam punuar që në vitin 1984 me violinistin Mark Kaftalli, i cili i ka hedhur të gjitha pjesët në notë, i ka shkruar sipas notacionit muzikor.
Sazeja duhet ruajtur nga institucionet e kulturës në Shkodër; ajo e ka vendin edhe sot në ahengun shkodran dhe duhet të përmirësohet teknologjikisht që të njihet nga të huajt që vizitojnë Shqipërinë, qoftë për studime, qoftë si turistë.
Me këtë rast, i uroj muzikantit Bepin Vjerdha jetë të gjatë dhe sa më shumë energji pozitive për të kontribuar në muzikën e qytetit të Shkodrës.
