Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, inspektuan sot nga hidrocentrali i Vaut të Dejës masat e marra për menaxhimin e reshjeve të ditëve në vijim. Vizita u fokusua te koordinimi ndërinstitucional dhe garantimi i një reagimi të shpejtë ndaj çdo situate të mundshme.

Sipas kryebashkiakut Beci, është vënë në zbatim bashkërendim maksimal mes strukturave qendrore, vendore dhe ekipeve të emergjencave civile, ndërsa po kryhet monitorim i pandërprerë i prurjeve dhe niveleve në kaskadën e Drinit. Përveç kësaj, ekipet e Bashkisë Shkodër vijojnë punën intensive në qytet për pastrimin e kanaleve, trotuareve dhe rrugëve, me qëllim rritjen e kapaciteteve të drenazhimit dhe minimizimin e riskut të përmbytjeve.

Beci theksoi se puna e koordinuar dhe reagimi në kohë reale janë vendimtarë për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbarëvajtjen e situatës në ditët që priten me reshje të shtuar.