Panairi i 28-të i Librit në Tiranë, i zhvilluar nga 13 deri më 17 nëntor në Pallatin e Kongreseve, mbylli dyert pas pesë ditësh të mbushura me aktivitete, promovime dhe diskutime mbi botimet më të fundit. Në këtë edicion, një ndër momentet më të rëndësishme ishte gara për çmimet letrare të Panairit, ku juria profesionale vlerësoi veprat më të mira të vitit 2025.
Një nga anëtarët e kësaj jurie ishte studiuesi dhe përkthyesi i njohur Zija Vukaj. Përkthyesi dhe studiuesi nënvizon kontributin e Shkodrës në fushën e letrave dhe kulturës edhe në këtë panair.
Vukaj flet edhe për veprat fituese, duke theksuar se juria është përqendruar tek cilësia, origjinaliteti dhe ndikimi kulturor i secilit botim.
• Çmimi “Autori më i mirë i vitit” iu dha shkrimtarit dhe akademikut Artan Fuga për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës” (Papirus), një vepër që kombinon mitin biblik me dramën urbane dhe reflektimet mbi teknologjinë, e vlerësuar për thellësinë filozofike dhe dimensionin psiko-social.
• Çmimi “Përkthimi më i mirë” shkoi për Virgjil Muçin, për përkthimin e romanit “Xhejmsi” të Percival Everett, fitues i Pulitzer 2025. Muçi u vlerësua për zhdërvjelltësinë gjuhësore dhe ruajtjen e dy regjistrave stilistikë të autorit amerikan.
• Çmimi “Përkthimi më i mirë nga frëngjishtja” iu dha Urim Nergutit, për sjelljen në shqip të romanit “Hyrija” të Kamel Daoud, fitues i Goncourt 2024, për besnikërinë ndaj stilit të autorit dhe finesën gjuhësore.
• Çmimi “Autori i librit më të mirë studimor” u fitua nga Ali Xhiku për librin “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri), një studim i rëndësishëm për metodologjinë dhe analizën e historisë së letërsisë shqipe.
• Çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë” iu dha Valbona Bankës për romanin “Aria, në dorën time”, një kategori e rikthyer këtë vit pas një pauze.
Panairi i Librit mbetet një ngjarje e rëndësishme e jetës kulturore shqiptare, duke sjellë bashkë autorë, botues dhe lexues nga gjithë vendi.
