Shqipëria po shndërrohet me ritme të shpejta në një nga destinacionet më të kërkuara të dasmave për çiftet e huaja, veçanërisht ato nga Europa Veriore. Peizazhet e virgjëra, bregdeti mahnitës i Jugut, qytetet me gurë dhe kështjellat mesjetare po e pozicionojnë vendin si një alternativë tërheqëse ndaj destinacioneve më të shtrenjta të Mesdheut. Sfondi natyror i kombinuar me mikpritjen tradicionale dhe kostot më të ulëta po sjell një valë të re vizitorësh me vlerë të lartë.
Gjatë katër viteve të fundit, Shqipëria ka forcuar dukshëm profilin e saj në hartën ndërkombëtare të “turizmit të dasmave”. Çiftet që vijnë nga vende të ftohta europiane kërkojnë vende që ndërthurin natyrën, trashëgiminë dhe atmosferën autentike. Shpesh, ata përfshijnë edhe elemente tradicionale shqiptare në ceremonitë e tyre, duke e kthyer ditën e madhe në një përvojë kulturore të paharrueshme për ta dhe për të ftuarit e tyre.
Sipas organizatorëve të eventeve, muajt më të preferuar për dasmat në Shqipëri mbeten qershori dhe shtatori – periudha kur bregdeti është më pak i ngarkuar dhe moti ofron kushte ideale.
Boshllëku që frenon potencialin e plotë: certifikatat e celebrimit
Megjithëse vendi ofron natyrë, autenticitet dhe vlerë të lartë për çmimin, një problematikë mbetet ende e pazgjidhur: lëshimi i certifikatave zyrtare të celebrimit në vend. Propozimet nga industria flasin për domosdoshmërinë e thjeshtimit të procedurave dhe qartësimit të mënyrës së verifikimit të dokumenteve. Qasja e lehtësuar ligjore do ta fuqizonte dukshëm këtë sektor që po rritet me ritme të ndjeshme.
Efekti ekonomik: një zinxhir përfitimesh për komunitetin
Turizmi i dasmave po rezulton një motor i fuqishëm ekonomik për zonat ku zhvillohen ceremonitë. Çiftet që zgjedhin një destinacion për dasmën e tyre sjellin qarkullim të lartë financiar për një gamë të gjerë biznesesh lokale: hotele, restorante, shërbime transporti, fotografë, muzikantë, dekoratorë e deri te bizneset më të vogla artizanale.
Sipas një menaxhereje të “Ami Event”, çdo dasmë e organizuar jashtë vendit të çiftit kthehet në një burim të drejtpërdrejtë të të ardhurave për komunitetin:
“Kur një çift zgjedh të martohet në një qytet apo fshat, përfiton jo vetëm vendi i eventit. Përfitojnë hotelierët, luleshitësit, fotografët, transportuesit, madje edhe bizneset më të vogla”, – shprehet ajo.
Shembujt ndërkombëtarë e tregojnë qartë këtë prirje. Në Maui apo në Toskanë, një dasmë e vetme mund të gjenerojë rreth 28,000 dollarë përfitime për ekonominë lokale. Edhe në Shqipëri, një dasmë me 80–100 të ftuar krijon qarkullim të ndjeshëm për furnitorët dhe operatorët e zonës.
Bizneset e vogla, fituesit më të mëdhenj të turizmit të dasmave
Rritja e kërkesës për elemente autentike ka hapur një derë të madhe për bizneset e vogla lokale, nga zejtarët te luleshitësit, nga kateringu te prodhuesit e verës dhe muzikantët që luajnë live.
Stela Kordalli nga “Lujon Flowers” pohon se trendi është i qartë:
“Çiftet kërkojnë gjithnjë e më shumë lule vendase, ngjyra që lidhen me natyrën e zonës dhe dekorime që kanë histori. Kjo na jep më shumë hapësirë për të krijuar dhe për të punuar me prodhues lokalë”, – tregon ajo.
Edhe përfaqësues të “Class by AV” e konfirmojnë këtë zhvillim:
“Një dasmë përfshin dhjetëra aktorë lokalë – luleshitës, katering, muzikantë, dizajnues të fustaneve, transport, dekor. Të gjithë përfitojnë.”
Përdorimi i produkteve vendase ul kostot e importit dhe rrit cilësinë e shërbimit. Kjo gjeneron më shumë punësim sezonal dhe e shndërron ceremoninë në një promovim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit të zonës.
Luleshitësit, restorantet që ndjekin filozofinë “nga ferma në tryezë”, prodhuesit e verës, artizanët dhe muzikantët janë ndër përfituesit kryesorë.
“Në ambientet lokale çdo gjë bëhet me më shumë kujdes dhe me dorë”, – thekson Kordalli.
“Kjo është ajo që çiftet kërkojnë sot: autenticitet.”
E ardhmja e turizmit të dasmave në Shqipëri
Me rritjen e kërkesës, operatorët po përgatisin paketa të personalizuara që kombinojnë natyrën, gastronominë, kulturën dhe disponueshmërinë e ambienteve. Turizmi i dasmave pritet të bëhet një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë së vizitorëve.
Nëse institucionet i hapin rrugë zgjidhjes së çështjes së certifikatave të celebrimit dhe thjeshtimit të dokumentacionit, Shqipëria ka potencialin të pozicionohet përfundimisht si një nga destinacionet më të spikatura të dasmave në Europë.
