Në Xhaminë e Plumbit u organizua aktiviteti përmbyllës i 35-vjetorit të rihapjes së saj, një ngjarje e cila shënon simbolikisht rikthimin e lirisë së besimit pas dekadave të ndalimit komunist. Myftinia Shkodër kujtoi ditën historike të 16 nëntorit 1990, përmes pamjeve arkivore ku dëgjohej ezani dhe prania e mijëra qytetarëve që u mblodhën për të rikthyer fenë në vendin tonë.

Të pranishmit u përshëndetën nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili nënvizoi vlerën shpirtërore dhe historike të Xhamisë së Plumbit si monument i identitetit shkodran dhe i qëndresës së besimit.  Fjalë përshëndetëse në këtë organizim mbajti edhe zëvendësmyftiu Arben Halluni.

Xhamia e Plumbit, e cila kohët e fundit ka përfunduar rikonstruksionin e plotë, është tashmë një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Shkodrës, me një pamje tërësisht të restauruar dhe funksionale për komunitetin.