Në Bibliotekën e qytetit të Shkodrës u zhvillua veprimtaria promovuese e librit “Lëvizja për rivendosjen e lirisë së besimit fetar në Shkodër 1989–1990” të autorit Bajram Xhafa, një botim që sjell një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e historisë së rikthimit të fesë në Shqipëri pas dekadave të ndalimit komunist.
Autori tregon mbi përmbajtjen dhe filozofinë e librit, duke theksuar se ai përmbledh ngjarjet, dëshmitë dhe zhvillimet kyçe të periudhës 1989–1990, kur Shkodra u bë qendra e parë e lëvizjes për rikthimin e lirisë së besimit. Ai nënvizoi se libri përpiqet të sjellë një pasqyrë të qartë të rolit të qytetarëve, të rinjve dhe të klerikëve që guxuan në një kohë të vështirë.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, në fjalën e tij e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik që shënoi ringritjen shpirtërore të shoqërisë shqiptare. Ai theksoi se rikthimi i lirisë së besimit në nëntor të vitit 1990 nuk ishte thjesht një akt fetar, por një akt qytetar, që kontribuoi në hapjen e rrugës drejt lirive dhe të drejtave themelore në Shqipëri.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të 35-vjetorit të rikthimit të lirisë së besimit dhe mblodhi studiues, klerikë dhe qytetarë të të interesuar për këtë pjesë të rëndësishme të historisë së Shkodrës dhe Shqipërisë.
