Teatri “Migjeni” i Shkodrës mirëpriti mbrëmjen e së enjtes një koncert recital të veçantë, që solli në skenë flautistin Elvis Rudi dhe pianistin Marin Gjollma. Ky event, pjesë e programit “KontraPunkt 2025”, shënoi rikthimin e dy artistëve në qytetin e Shkodrës pas një periudhe 2-vjeçare.
Në interpretimin e tyre, Rudi dhe Gjollma sollën vepra të përzgjedhura nga kompozitorë të mëdhenj si Georg Friedrich Händel, Gaetano Donizetti, Philippe Gaubert, Sigfrid Karg-Elert dhe George Enescu. Repertori i larmishëm ndërthurte elegancën baroke, virtuozitetin romantik dhe ngjyrimet moderne, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë artistike.
Dy instrumentistët ndanë emocionet e rikthimit në skenën e Shkodrës, duke e konsideruar këtë event një takim të veçantë me publikun artdashës.
Eventi u organizua nga Ministria e Kulturës, Bashkia Shkodër dhe Teatri “Migjeni”. Në fund të koncertit, publiku i pranishëm i duartrokiti gjatë dy artistët, duke i falënderuar për një mbrëmje plot art, qetësi dhe emocion.
