Në Katedralen “Shën Shtjefni” të Shkodrës u kremtua Mesha Solemne e drejtuar nga Arqipeshkëvi Emeritus, Imzot Angelo Massafra, me rastin e 35-vjetorit të Meshës së parë publike të mbajtur në Varrezat e Rrmajit. Gjatë homelisë përkujtimore, u theksua mesazhi i Dom Simon Jubanit për lirinë, besimin dhe guximin qytetar, si dhe rëndësia e kujtesës historike për brezat e rinj.

Pas Meshës, në Shkodër u zhvillua procesioni përkujtimor, që nisi nga Katedralja “Shën Shtjefni” për në Varrezat Katolike të Rrmajit, vendi ku më 11 nëntor 1990 Dom Simon Jubani kremtoi Meshën e parë publike pas ndalimit të fesë nga regjimi komunist.

Ceremonia e këtij përvjetori u organizua nga Kisha Katolike e Shkodrës dhe pati pjesëmarrjen e klerikëve, besimtarëve dhe përfaqësuesve të jetës publike e shoqërore të qytetit. 11 Nëntori përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e pasdiktaturës shqiptare: atë të ringjalljes së lirisë fetare në vend.