Nga Qamil Gjyrezi
Gjindet një partiturë e kompozuar nga At Bernardin Palaj, për ‘Bujri’, Trombë dhe vokal. At Bernardin Palaj: ‘Kompozitori i “Kangës së Flamurit të Arbërit”
‘Kangën e Flamurit’ të Arbërit të At Bernardin Palaj e kam luajtur me Bas-baritonin Profesor Lukë Mllugja tek Salla Kardinal ‘Mikel Koliqi’. Atë Bernardin Palaj ka kenë, poet, mitolog, studiues, shkrimtar, filozof dhe pianist, një studjues dhe muzikant me të ardhme shumë të madhe. E ardhmja e tij muzikore ishte e lidhur edhe me formimin e tij shpirtnor dhe intelektual.
Ai ishte një njeri me kulturë të gjanë që dallohet qartë në të gjithë punët e tija intelektuale.
Edhe në fushën e muzikës ai kompozoi pjesë të ndryshme muzikore të mbështetuna në traditën shqiptare mbi modet dhe meloditë e pastra tona tradicionale. Palaj vlerësonte maksimalisht kulturën tonë kombëtare dhe mbi këtë fenomen mbështetej i gjithë arti i tij në përgjithësi. Një prej këtyre pjesëve të vogla muzikore, të cilën e kam luajtur është edhe “Kanga e “Flamurit”.

Kjo pjesë asht një kangë e vogël e cila i kushtohet “Flamurit të Arbërit”. At Bernardin Palaj i ka shkruar me shumë dashuri flamurit tonë. Ajo asht një kangë e thjeshtë, me një melodi shqiptare që ngre lart vlerat e “Flamurit kombëtar”, simbolit ma të çmuar për kombin tonë. Kanga asht kompozuar për “Bujri” në Si bemol (Trombë) dhe Kangë (Soprano).
Ajo asht konceptuar në formën e një marshi me karakter epiko-lirik, elementë të cilët i japin melodisë një vend shumë të randësishëm. Melodia e thjeshtë dhe shumë komunikative jep një mesazh të madh për flamurin tonë. Harmonia asht klasike, e thjeshtë dhe asht e mbështetur mbi motivet tradicionale shqiptare. Palaj e ka shkruar hymnin për za që asht pjesë e psikikës njerëzore dhe një element i randësishëm i saj, gjithashtu për Bujri, veglat e frymës të cilat transmetojnë edhe këto shumë emocione shpirtnore.
Kënga e flamurit luhet në Unison, këngëtarja dhe Bujrija (tromba). Unisoni ka një vlerë të madhe dhe shpreh unifikimin e mendimit, tingullit dhe frekuencave, shpeshtësisë të tij.
‘Kangën e Flamurit’ të Arbërit të At Bernardin Palaj e kam luajtur me Bas-baritonin Profesor Lukë Mllugja te Salla Kardinal ‘Mikel Koliqi’.
