Pas një pauze dyvjeçare, Çmimi “Idromeno” u rikthye si pjesë e kalendarit vjetor të Galerisë së Arteve Shkodër, duke shënuar edicionin e tetë të këtij konkursi të artit bashkëkohor, dedikuar artistëve të rinj.
Drejtuesi i Galerisë, Fatmir Juka, theksoi rëndësinë që kjo ekspozitë ka në ndërtimin e një lidhjeje të fortë me kuratorin dhe procesin artistik. Nga ana tjetër, kuratori Kanani vlerësoi aspektin hulumtues të veprave, si dhe kurajën e artistëve për të reflektuar mbi shoqërinë bashkëkohore.
Fituesja e këtij edicioni u shpall Besa Mustafaj, vepra e së cilës u vlerësua nga juria për karakterin reflektues në një botë ku ritmi i jetës po përshpejtohet.
Pas përfundimit të Çmimit “Idromeno”, Galeria e Arteve Shkodër po përgatitet të çelë ekspozitën më të rëndësishme të kalendarit vjetor “Salloni i Vjeshtës”, që pritet të mbledhë artistë të afirmuar dhe emra të rinj të artit shqiptar.
