Në një atmosferë festive plot emocione, Bashkia Malësi e Madhe nderoi artistin e njohur të muzikës popullore Tom Marvukaj me titullin “Qytetar Nderi”, për kontributin e çmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë muzikore të veriut.
Ceremonia u zhvillua në prani të shumë kolegëve, miqve dhe artdashësve që kanë ndarë me të skenën dhe pasionin për muzikën.
Marvukaj është një nga emrat që ka mbajtur gjallë traditën e këngës me lahutë e çifteli, duke sjellë në skenë motive autentike të Malësisë dhe duke i përcjellë ato brez pas brezi. Tom Marvukaj mbetet një simbol i gjallë i rapsodisë veriore dhe i frymës së Malësisë që kumbon me krenari në çdo tingull të çiftelisë edhe sot e kësaj dite.
