Java e njëmbëdhjetë e Kategorisë Superiore rezervon këtë të shtunë kryesfidën Vllaznia-Dinamo, që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 17:00. Në konferencën e pragndeshjes, trajneri Edi Martini ndaloi fillimisht tek çështjet disiplinore, duke kritikuar sjelljet dhe reagimet e disa protagonistëve të kampionatit.

Në vijim, Martini konfirmoi se ndaj Dinamos ekipi do të ketë mungesa të rëndësishme, pasi Dros dhe Bismark nuk do të jenë të gatshëm për sfidën. Megjithatë, tekniku kuqeblu kërkon maksimumin nga grupi për të vijuar serinë pozitive në kampionat.

Krahas supersfidës në Shkodër, java e 11-të e “Abissnet Superiore” do të sjellë edhe duelet Bylis-Flamurtari, Tirana-Vora, Elbasani-Egnatia dhe Teuta-Partizani.