Në ambientet e Qendrës Rinore “Arka” në Shkodër u zhvillua mbrëmjen e së martës, më 4 nëntor 2025, promovimi i librit “Skena dhe Prapaskena – Nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu te Ramiz Alia, Fatos Nano e Sali Berisha” të autorit Prof. Lufter Xhuveli.

Në këtë vepër voluminoze, Prof. Xhuveli sjell përmes kujtimeve dhe reflektimeve të tij dëshmi të rralla mbi marrëdhëniet e brendshme të pushtetit shqiptar nga periudha komuniste deri në vitet e tranzicionit demokratik. Libri ndalet tek figura të rëndësishme politike të pesë dekadave të fundit, duke përshkruar prapaskenat, vendimmarrjet dhe zhvillimet që kanë ndikuar në historinë e Shqipërisë.

Rektori Gjuraj i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, shprehu konsideratën e tij për këtë botim.

Profesor Xhuveli, një prej intelektualëve të shquar të botës akademike shqiptare, ka kontribuar si lektor për 25 vite në Universitetin Bujqësor të Tiranës, autor dhe bashkautor i mbi 17 librave dhe më shumë se 80 artikujve shkencorë të botuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme shtetërore si Ministër i Bujqësisë, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Zv. President i Konventës së Barcelonës, si dhe Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.