Në Bashkinë e Shkodrës u zhvillua sot një takim mes Kryetarit të Bashkisë, Benet Beci dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, ku u vlerësuan rezultatet e arritura në fushën e turizmit dhe kulturës.
Sipas Drejtoreshës Çela, Shkodra renditet ndër bashkitë më të suksesshme në nivel kombëtar, me 259 netë eventesh të zhvilluara gjatë këtij viti, një tregues i fuqisë krijuese, diversitetit kulturor dhe bashkëpunimit institucional që po e shndërron qytetin në një model të promovimit turistik.
Gjatë takimit u theksua roli i Shkodrës si qendër e artit, traditës dhe inovacionit, duke ndërtuar një identitet të fortë turistik dhe duke gjallëruar ekonominë lokale.
Palët vlerësuan gjithashtu platformën kombëtare TEA, e cila tashmë përfshin edhe kalendarin e pasur të eventeve të Shkodrës, dhe diskutuan projektet e reja që synojnë zhvillimin e turizmit rinor, organizimin e eventeve multiart dhe përfshirjen e të rinjve në jetën kulturore të qytetit.
