Me datë 30 Tetor 2025 zhvilloi me sukses punimet konferenca shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”. Konferenca shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”, me pjesëmarrës, përfaqësues të institucioneve artistike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kishte për qëllim rritjen e rolit dhe peshës së muzikës shqiptare si krijimtari, interpretim, edukim dhe muzikologji. Në këtë konferencë pati diskutime me shumë vlera artistike dhe shkencore, për të ardhmen e muzikës shqiptare nga pjesmarrësit, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Me këtë rast kisha pregatitur një material të shkurtër, për të diskutuar në këtë aktivitet, që po e botoj në faqen time në F.B.
Të nderuar Miq, akademikë, profesorë, studjues, interpretues, muzikologë, edukator të Akademisë së shkencave, UART, të ftuar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, punë të mbarë në këtë konferencë për muzikën shqiptare. Krahas projekteve madhore të Akademisë së shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës si Historia e Shqiptarëve, Fjalori i Madh të Gjuhës Shqipe dhe Enciklopedia Shqiptare një aktivitet në nivel akademik për muzikën shqiptare dhe të ardhmen e saj ishte i domosdoshëm.
Ka gadi mbi 17 vite që studjoj dhe kam dhënë leksione në terapinë e muzikës, semiotikën dhe psikologjinë e muzikës. Në këta vite kam patur shkëmbim përvoje në këtë disiplinë shkencore me studjues të njohur nga Italia, Gjermania dhe Danimarka. Në Shqipëri kam bashkëpunuar me Profesor Vasil Tole, Profesor Edmond Buharaja, Profesor Eno Koço, Profesor Arben Llozi, Profesor Petrika Afezolli. Profesor Buharaja ka një kontribut shumë të madh në këtë disiplinë shkencore, semiotiken e muzikës. Një studjues arti ka shkruar se ‘Arti nuk është shkencë dhe shkenca nuk është art’ (Wikipedia 2006). Por studimet për muzikën bazuar në këta disiplina shkencore shumë të rëndësishme kanë ndikuar për muzikologjinë tradicionale, etnomuzikologjine, nstrumentistët, këngëtarët, krijuesit e muzikës për të studjuar imazhin e muzikës, përfëtyrimin e saj psikik.
Në shkrimet e mia në gazetë dhe botimet e mia e kam trajtuar muzikën shqiptare në rrafshin psikologjik dhe semiotik, në planin gjuhësor dhe atë emocional, terapia e muzikës. Semiotika e muzikës është shkenca e shenjave dhe kuptimeve në muzikë, studion sesi tingujt, ritmet, meloditë, instrumentet dhe tekstet muzikore shndërrohen në mesazhe kulturore dhe emocionale. Kur flasim për muzikën shqiptare mbarëkombëtare, nënkuptojmë muzikën që përfaqëson identitetin dhe simbolikën e kombit shqiptar në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë e diasporë. Prandaj “Semiotika e muzikës shqiptare mbarëkombëtare” është një temë e thellë dhe aktuale, sepse lidhet me mënyrën si muzika shqiptare shpreh kuptime, identitet dhe kulturë përtej kufijve shtetërorë.
1.Nivelet semiotike
Niveli fonik (tingëllor): struktura melodike, ritmi, tonaliteti dhe përdorimi i instrumenteve (çiftelia, lahuta, fyelli, daullja, sharkia, cylja dyjare, zumarja, gajdja) bartin shenja të përkatësisë etnike dhe historike. Për shembull, lahuta simbolizon heroizmin dhe kujtesën historike, ndërsa kënga polifonike jugore simbolizon bashkimin dhe harmoninë komunitare. Niveli kulturor: çdo këngë apo melodi përçon mitet, zakonet dhe mënyrën e të menduarit të shqiptarëve. Himnet, vallet dhe këngët rituale janë shenja të identitetit kolektiv. Niveli komunikativ: muzika shqiptare është një gjuhë e përbashkët që i bashkon shqiptarët në hapësirën mbarëkombëtare; ajo komunikon përtej dialekteve e kufijve politikë.
- Simbolika dhe identiteti
Muzika shqiptare mbarëkombëtare funksionon si kod simbolik i kombit, ku çdo krahinë kontribon me shenjën e saj unike: Veriu – trimëri, nder, epikë. Jugu – harmoni, bashkëjetesë, melankoli poetike. Kosova dhe diaspora – qëndresë, identitet modern dhe ruajtje e traditës.
Kështu, semiotika e saj pasqyron unitetin në shumëllojshmëri një mozaik ku çdo tingull mbart një kuptim kombëtar. Semiotika e muzikës shqiptare mbarëkombëtare nuk është vetëm analizë e tingujve, por një interpretim i thellë kulturor i shenjave që krijojnë identitetin shqiptar. Ajo ndihmon të kuptojmë si muzika shërben si gjuhë e kujtesës, solidaritetit dhe përkatësisë kombëtare në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.
-“Kënga e Trimave” – Lahuta e Veriut (Veri). Shenjë semiotike: tingulli heroik, ritmi epik, lahuta si simbol i kujtesës historike. Kuptimi kulturor: përfaqëson identitetin e burrërisë dhe qëndresës. Interpretim semiotik: lahuta është “shenja” që lidh njeriun me historinë dhe mitin. Po sjelli dy shembuj: Isë Elezi, lahutar nga Rugova: ‘Kënga e martesës së Halilit’, dhe Pretash Nilaj Muji dhe Zanat’.
-“Iso-polifonia e Labërisë” (Jug)
Shenjë semiotike: shumëzërëshi harmonik, “Isoja” si simbol i bashkimit dhe solidaritetit. Kuptimi kulturor: përfaqëson unitetin dhe marrëdhënien komunitare të jugut shqiptar. Interpretim semiotik: “Isoja” është shenja që shpreh bashkimin në shumëzëra një metaforë e kombit. Për shembull: Grupi i Pilurit: ‘Tundu, Bejk e bardhë, tundu’ dhe ‘Gjirokastër Tungjatjeta’- kënduar nga Tomorr Lelo dhe Ansambli Cipini
-“Kënga e Kosovës” – Muzika e rezistencës. Shenjë semiotike: melodi e ndjerë, tekst i ngarkuar emocionalisht, përdorim i shkallës minore. Kuptimi kulturor: shpreh dhimbjen, qëndresën dhe shpresën e kombit në situata historike. Interpretim semiotik: muzika si mjet kujtese dhe rezistence ndaj shuarjes kulturore. Për shembull: Leonora Jakupi – A vritet pafajsia?
-“Këngët e mërgimtarëve” (Diaspora). Shenjë semiotike: përzierje e motiveve tradicionale me ritme moderne. Kuptimi kulturor: ruajtje e identitetit në largësi, transformimi i kujtesës kolektive. Interpretim semiotik: muzika si shenjë e lidhjes me atdheun përmes nostalgjisë. Për shembull: Shkurte Fejza & Malësori – ‘Femijet e mergimtareve’
Psikologjia dhe Gestalti i muzikës shqiptare. Dimensioni psikologjik i muzikës shqiptare
Niels Trusbak Haumann në punën e tij ‘Muzikologjia Konjitive’ (Danimarkë 2020) shkruan për ‘Emergjencën e një psikologjie të muzikës’.
Muzika shqiptare, në të gjitha format e saj nga këngët epike të veriut deri te polifonia e jugut bart një dimension të thellë psikologjik, që shprehet përmes strukturës, ritmit dhe mënyrës së interpretimit. Ajo nuk është thjesht një produkt estetik, por një shprehje kolektive e psikës kombëtare, ku ndjesia, kujtesa dhe identiteti bashkohen në një përvojë të përbashkët ndijore.
Në kuptimin psikologjik, muzika shqiptare përbën një mekanizëm të fuqishëm të shprehjes emocionale dhe të përpunimit të përvojave historike. Këngët epike të veriut, për shembull, kanë funksionuar si çlirues emocional dhe kujtesë traumatike kolektive, ku dhimbja dhe krenaria ndërthuren në një akt të sublimuar artistik. Ndërsa iso-polifonia labe dhe toske përfaqëson një strukturë psikike bashkëndarjeje ku secili zë është një individ që kontribuon në një tërësi harmonike, duke reflektuar psikologjinë e bashkëjetesës komunitare. Muzika, pra, bëhet një pasqyrë e ndërgjegjes sociale, ku emocionet individuale hyjnë në dialog me përvojën historike të kolektivit. Kjo përkon me idetë e psikologjisë muzikore që e shohin tingullin si shenjë të përvojës së brendshme dhe si strukturë ndjesore të kujtesës (Juslin & Sloboda, 2001).
Gestalti dhe perceptimi i tërësisë muzikore, simbolika dhe kuptimi gestaltik
Teoria e Gestaltit, e zhvilluar nga psikologët gjermanë Max Wertheimer, Kurt Koffka dhe Wolfgang Köhler, e sheh perceptimin si një proçes ku mendja njerëzore ka tendencë të organizojë përvojat në tërësi kuptimplota, jo në fragmente të ndara. Aplikimi i kësaj teorie në muzikën shqiptare shpalos mënyrën sesi dëgjuesi e përjeton muzikën si strukturë të plotë ndijimore ku çdo element (melodi, ritëm, tekst, timbër) është pjesë e një organizmi të përbashkët kuptimor. Në këtë këndvështrim, një këngë polifonike nuk mund të kuptohet nëse analizohet vetëm përmes zërit të parë ose të dytë, por vetëm përmes tërësisë së bashkëveprimit vokal. Po ashtu, në muzikën e veriut, raporti ndërmjet lahutës dhe zërit krijon një strukturë Gestaltike ku instrumenti dhe interpretuesi bëhen një trup i vetëm shprehës. Kjo ndërthurje krijon ndjesinë e “formës së plotë” që dëgjuesi e percepton si një realitet të vetëm estetik dhe emocional.
Gestalti dhe emocionet në muzikën mbarëkombëtare shqiptare
Koncepti i Gestaltit në psikologjinë e muzikës lidhet me mënyrën se si njeriu percepton strukturën e përgjithshme të tingullit, harmonisë, ritmit dhe melodisë si njësi të plota kuptimore, e jo si elemente të ndara. Në këtë kuptim, çdo krijim muzikor shqiptar , qoftë iso-polifonia e jugut, iso-ja labe, apo melizmat e veriut, nuk përjetohet vetëm si seri notash, por si forma të përmbledhura ndjenjash, kujtese kolektive dhe identiteti kulturor. Në muzikën mbarëkombëtare shqiptare, Gestalti shfaqet si rendi i brendshëm i ndjenjave kolektive, ku çdo zë, çdo interval dhe çdo ritëm ndërthuret për të krijuar një tërësi psikologjike që kapërcen individualen. Psikologjikisht, dëgjuesi shqiptar nuk e percepton vetëm tingullin, por marrëdhëniet midis tingujve, mënyrën se si ato krijojnë tension, lirshmëri, përkulje emocionale apo krenari. Këtu qëndron thelbi gestaltian: e tëra është më shumë se shuma e pjesëve.
Në muzikën polifonike të Jugut, Gestalti i ndjenjës ndërtohet mbi harmoninë midis zërave: marrësi, kthyesi dhe isoja formojnë një strukturë që krijon ndjesinë e bashkësisë.
Kjo ndjesi grupore nuk është vetëm muzikore, por psikologjikisht simbolizon unitetin shoqëror dhe moral. Në këtë mënyrë, Gestalti polifonik bëhet përfaqësues i “ne”-së shqiptare. Në anën tjetër, muzika epike dhe labe, me strukturat e saj ritmike të forta dhe intonacionet e pasura në intervale të larta, krijon një tjetër lloj Gestalti emocional, atë të heroizmit dhe rezistencës. Zëri njerëzor, si instrument bazë, shfaqet si bartës i ndjenjës së përbashkët të dinjitetit dhe dhimbjes kolektive, që gërshetohen në një figurë të plotë emocionale. Në nivel psikologjik, Gestalti i muzikës shqiptare është një formë vetë-rikrijimi të kujtesës. Çdo interpretim i ri e riformon kuptimin, por ruan strukturën bazë të emocioneve që populli ka ndërtuar ndër shekuj. Për këtë arsye, edhe sot, një këngë e vjetër labe, një melodi shkodrane apo një këngë patriotike e veriut, ngjall në dëgjuesin modern të njëjtën energji ndjesore dhe identifikuese.
Për muzikën serioze shqiptare kam shkruar një punë, në këndvështrimin semiotik për simfoninë ‘Albanoi’ të Vasil Tole.
Studim rasti: Vasil Tole, simfonia “Albanoi” koha e III: “Prechorus Dance”, “ritual përgatitor kolektiv”
Në kohën e III-të të simfonisë “Prechorus Dance”, ritmi ka një rëndësi të veçantë dhe Tole e sjell me një puls të papritur dhe tension dinamik që krijon një “valle trance”. Koha I-rë, Epos e Simfonisë “Albanoi” ka karakter narrativ, heroik dhe solemn. Tole në këtë kohë fillon ‘udhëtimin’ e tij simfonik nëpërmjet narracionit, heroikes dhe solemnes, elementë që janë të rëndësishëm në kohën e I-rë. Koha II-të, Iso është strukturë meditative dhe introspektive, e mbështetur në pedal. Ndërsa koha III-të e simfonisë “Albanoi”, “Prechorus Dance” është pika kulmore ritmike dhe emocionale, me lëvizshmëri dhe energji të fuqishme vallëzuese.
Koha e tretë e simfonisë ‘Albanoi’ nga Vasil Tole, me titull “Prechorus Dance”, përfaqëson një kulm estetik dhe ritmik të veprës. Ajo është ndërtuar mbi një gërshetim të thellë të ritmeve dhe motiveve tradicionale shqiptare, në veçanti atyre që i referohen strukturave para-korale të këngëve folklorike (pra, para hyrjes së korit ose të refrenit), duke i dhënë kësaj pjese një karakter ritual, energjik dhe dinamik.
Si përfundim në të ardhmen do të organizoj një koncert dhe një studim të thelluar për muzikën shqiptare me titull: “Standardi gjuhësorë dhe muzikor Shqiptar”.
Shumë studiues të shkencave të komunikimit, gjuhës, sociologë dhe filozofë modernë e konsiderojnë muzikën si gjuha që njerëzit flasin. Sociologu dhe filozofi gjerman Teodor Adorno shkruante se: “Muzika është e ngjashme me një gjuhë”. Nëse kemi standartin gjuhësor të gjuhës shqipe, duke e konsideruar muzikën gjuhë (jo-verbale) kemi edhe standartin muzikor të muzikës shqiptare me dialektet muzikore, të cilat janë të lidhura me dialektet e gjuhës së folur. Për të vertetuar një “minitezë” të tillë, do të prezantoj në një studim dhe koncert një “studim-rasti” gjuhësorë dhe artistik të “Iso-Polifonisë toske” dhe Kaba Përmetare me këngën “Pranvera filloi me ardhë” dhe “Jare” e Shkodrës.
Profesor Ramadan Sokoli ishte i pari që përcaktoi rëndësinë e isos në natyrën e polifonisë popullore tek vepra: “Folklori muzikor shqiptar morfologjia”, Tiranë 1965, ku shkruante:… atje ku flitet gegërishtja kemi muzikën homofonike kurse përposhtë këtij lumi atje ku ndihet rotacizmi i bashkëtingëllores n në r ose diftongu ua e tjera vecori fonetike të toskërishtes atje ndihet dhe isoja sëbashku me vecoritë e tjera polifonike”.
Muzika shqiptare dhe e ardhmja e saj!
Disa pika kryesore që do t’i propozoja konferences për të ardhmen e zhvillimit e muzikes shqiptare:
- Ruajtja dhe dixhitalizimi i trashëgimisë muzikore
Regjistrimi dhe arkivimi profesional i këngëve, melodive dhe instrumenteve tradicionale në të gjitha trevat shqiptare. Krijimi i një arkivi kombëtar muzikor dixhital, të hapur për studiues, kompozitorë dhe publikun. Bashkëpunim me UNESCO për ruajtjen e elementeve të trashëgimisë shpirtërore muzikore. - Ndërkombëtarizimi i muzikës shqiptare
Promovimi i artistëve shqiptarë në skena ndërkombëtare përmes festivaleve, platformave digjitale dhe bashkëpunimeve me muzikantë të huaj. Përdorimi i identitetit muzikor shqiptar si element origjinal në zhanre bashkëkohore (world music, jazz, elektronikë, etj.). - Arsimi muzikor dhe kërkimi shkencor
Forcimi i studimeve mbi psikologjinë, semiotikën dhe estetikën e muzikës shqiptare në universitetet tona. Futja e moduleve të reja si “Muzika dhe Teknologjia”, “Kultura digjitale” apo “Menaxhimi muzikor”. Mbështetje për kërkime ndërdisiplinore që lidhin muzikën me sociologjinë, historinë dhe psikologjinë. - Krijimi i qendrave të inovacionit muzikor
Laboratorë të rinj krijues ku kompozitorë, instrumentistë dhe programues bashkëpunojnë për projekte të reja audio-vizuale. Përdorimi i inteligjencës artificiale për analizë, restaurim dhe krijim muzikor. - Forcimi i industrisë muzikore shqiptare
Mbështetje ligjore dhe ekonomike për artistët e pavarur (të drejtat e autorit). Platforma streaming shqiptare që promovojnë prodhimin vendas. Edukim në menaxhim artistik dhe marketing digjital. - Rikthimi i lidhjes shpirtërore me muzikën
Muzika shqiptare duhet të mbetet shprehje e emocioneve, e identitetit dhe e humanizmit.
Duhet të zhvillohet pa humbur “shpirtin” që e ka karakterizuar nga lahuta e maleve te këngët e dashurisë e të punës. Po e mbylli fjalën time me një thënie të shkrimtarit rus Leon Tolstoi: ‘Muzika është stenografia e emocionit’. Si përfundim muzika shqiptare mbarëkombëtare është ‘stenografia’ e emocioneve të të gjithë shqiptarëve.
