“Nuk është më germadhë siç ka qenë,” – kështu shprehen banorët e “pallatit me hark” në sheshin “Isa Boletini”, ku po vijojnë me intensitet punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës.
Ky projekt, që realizohet në bashkëpunim mes Agjencisë së Efiçencës së Energjisë dhe Bashkisë Shkodër, synon jo vetëm të përmirësojë kushtet e jetesës për banorët, por edhe të rrisë efiçencën energjetike të ndërtesës, një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit urban të qëndrueshëm.
Punimet përfshijnë termoizolim të plotë të pallatit, vendosjen e dritareve të reja, rregullimin e fasadës dhe krijimin e hapësirave funksionale për komunitetin. Puna po zhvillohet çdo ditë, madje edhe në fundjavë, për të garantuar përfundimin në afat dhe me cilësi të lartë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është bashkëpunimi me OSHEE-në, për vendosjen e linjave elektrike nëntokësore, çka do të heqë rrjetin e kabllove nga fasadat dhe do të përmirësojë ndjeshëm pamjen e jashtme të ndërtesës dhe gjithë zonës përreth.
Kjo ndërhyrje po e rikthen “pallatin me hark” nga një godinë e amortizuar në një simbol të urbanizimit modern, duke i dhënë zonës “Isa Boletini” një pamje më të pastër, më estetike dhe më dinjitoze për qytetarët e Shkodrës.
