Pas dy netëve magjike në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, uli siparin edicioni jubilar i festivalit të këngës “Luleborë”. Në këtë edicion të 10-të, çmimin e parë e rrëmbeu kënga “Ta dish”, interpretuar nga Glerdit Turmetaj, me muzikë dhe tekst të Leon Lekaj.
Në skenën e “Migjenit” u prezantuan 15 këngë të reja, që sollën emocione, art dhe mbi të gjitha muzikën qytetare shkodrane. Performanca e Turmetajt u vlerësua si më e kompletuara artistikisht, duke fituar zemrat e publikut dhe të jurisë, e përbërë nga Osman Mula, Bashkim Alibali, Eli Fara, Armando Lika dhe Rosela Gjylbegu.
Drejtues artistikë të këtij edicioni ishin sopranoja e njohur Inva Mula dhe kompozitori e mjeshtri i korit, Zef Çoba, të cilët sollën një nivel të ri profesionalizmi dhe ndjeshmërie në organizimin e festivalit.
Fituesi Glerdit Turmetaj falenderoi organizatorët për përkushtimin dhe profesionalizmin, si dhe publikun shkodran për mbështetjen e ngrohtë gjatë dy netëve të festivalit.
Kënga fituese u vlerësua për finesën melodike, emocionin e brendshëm dhe interpretimin plot ndjeshmëri duke kurorëzuar kështu një mbrëmje që i riktheu Shkodrës magjinë e muzikës së mirëfilltë.
