Në kuadër të 10-vjetorit të festivalit “Luleborë”, në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës është rikthyer pas më shumë se tri dekadash hapësira e orkestrës simfonike, një element që i jep skenës dimension të ri artistik dhe frymëmarrje skenike.
Drejtuesi artistik i festivalit, Zef Çoba, tha se ky rikthim sjell një energji të re për interpretimet muzikore.
Në këtë edicion jubilar do të konkurrojnë 16 këngë, të cilat ruajnë thelbin e këngës shkodrane, por njëkohësisht synojnë të përshtaten me tregun muzikor bashkëkohor, një sfidë që, siç theksoi Çoba, mbetet e veçantë për artistët dhe krijuesit pjesëmarrës.
Ky moment shënon jo vetëm një zhvillim teknik e artistik për teatrin, por edhe një simbol të bashkëjetesës së traditës me modernitetin, duke dëshmuar se muzika qytetare shkodrane mbetet një trashëgimi e gjallë, që rinovohet brez pas brezi nën dritat e “Migjenit”.
