Në Teatrin “Migjeni” kanë nisur provat gjenerale për edicionin e 10-të të Festivalit të Këngës Qytetare Shkodrane “Luleborë”, një aktivitet që prej një dekade ka shndërruar në traditë dhe simbol të artit të mirëfilltë në Shkodër.

Ky edicion jubilar sjell një koncept të ri artistik që ndërthur të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë festivalit një dimension teatral dhe emocional. Regjisori Bojken Lako u shpreh se ka zgjedhur ta ndërtojë këtë edicion mbi një përjetim të thellë skenik, që nis nga vetë historia e teatrit e deri tek emocioni që përcillet tek publiku.

Në këtë rrugëtim artistik, prezantuesja dhe njëkohësisht skenaristja Arjola Shehu vjen me një rol të dyfishtë, duke theksuar ndjenjën e përgjegjësisë për ta përcjellë me dinjitet këtë festival të dashur për publikun shkodran.

“Luleborë 10” premton të sjellë një frymë të re për qytetin, një udhëtim përmes kujtesës, artit dhe emocioneve që bashkojnë breza, duke dëshmuar se muzika qytetare mbetet një pasuri shpirtërore e pavdekshme për Shkodrën.