Në Shkodër ka nisur puna për rikonstruksionin e palestrës së shkollës “28 Nëntori”, një investim i rëndësishëm që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e zhvillimit të edukimit fizik dhe sportit në këtë institucion arsimor. Punimet po zhvillohen me ritme intensive dhe synojnë ta kthejnë palestrën në një hapësirë moderne, funksionale dhe të përshtatshme për aktivitetet sportive të nxënësve.

Mësuesja e edukimit fizik, sporteve dhe shëndetit, Dhurata Kuçi, u shpreh se ky projekt është i mirëpritur dhe do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e orëve mësimore, si dhe në motivimin e nxënësve për t’u përfshirë më shumë në aktivitete sportive.

Ajo theksoi gjithashtu se një aspekt tjetër pozitiv është rikthimi i palestrës në funksion të vetë shkollës, pasi më herët ajo nuk përdorej nga nxënësit.

Ky investim është pjesë e programit të përbashkët mes Bashkisë Shkodër dhe Ministrisë së Arsimit, që ka për qëllim modernizimin e infrastrukturës arsimore dhe sportive në qytet.