Në zonën pranë shkollës “Martin Camaj”, po vijon puna me ritme të shpejta për transformimin urban të lagjes. Krahas termoizolimit të plotë të pallatit me hark, po realizohet edhe heqja e kabllove elektrike nga fasadat dhe sistemimi i tyre në rrjet të nëndheshëm.

Ky proces, i zhvilluar në bashkëpunim me OSHEE-në, është pjesë e një modeli të ri urban që synon të eliminojë pamjen e rrjetave të kabllove në fasadat e pallateve, duke krijuar një mjedis më të pastër, më të sigurt dhe më estetik për banorët.

Përmes këtyre ndërhyrjeve, Bashkia Shkodër synon të vendosë standarde të reja për sistemimin urban, duke kombinuar investimet në termoizolim me përmirësimin e infrastrukturës elektrike dhe pamjes së qytetit.