Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës kanë nisur përgatitjet për edicionin jubilar të 10-të të Festivalit të Këngës “Luleborë”, një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të qytetit.
Orkestra dhe grupi artistik kanë startuar provat e para, në mënyrë që gjithçka të jetë gati në fund të muajit tetor, kur për dy netë me radhë, më 27 dhe 28 tetor, emra të njohur të skenës shkodrane dhe asaj shqiptare do të ngjiten për të performuar drejtpërdrejtë për publikun.
Në një prononcim për mediat, përgjegjësi i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, Dritan Mlika, u ndal te rëndësia e këtij edicioni të veçantë, që shënon një dekadë vazhdimësie e kontributi në ruajtjen dhe promovimin e muzikës së lehtë shkodrane.
Pas përzgjedhjes së këngëve pjesëmarrëse, puna është përqendruar në përgatitjen e materialeve muzikore dhe interpretimin e tyre “live”, duke ruajtur traditën që e ka shoqëruar festivalin që në fillesat e tij.
Në edicionin e 10-të, “Luleborë” pritet të sjellë shumë surpriza, emocione dhe një atmosferë festive që do të mbledhë bashkë publikun shkodran dhe artistët që kanë kontribuar ndër vite në këtë ngjarje tashmë të konsoliduar të artit dhe kulturës.
