Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” po zhvillohet Kampionati Kombëtar i Mundjes për moshat U-15 dhe U-17, në stilin e lirë dhe atë klasik. Aktiviteti, që mbahet në kuadër të titullit “Shkodra – Qyteti Europian i Sportit 2025”, ka sjellë në qytetin verior dhjetëra sportistë të rinj nga e gjithë Shqipëria, duke rikthyer atmosferën e garave rivalizuese.
Sekretari i Federatës Shqiptare të Mundjes, Isa Merkja, vlerësoi interesin e shtuar të të rinjve për këtë disiplinë, por theksoi edhe nevojën për përmirësimin e kushteve të stërvitjes në klubet sportive. Nga ana tjetër, trajneri i Vllaznisë në mundje, Altin Anza, u shpreh optimist për një paraqitje dinjitoze të sportistëve shkodranë në këtë kampionat.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe një nga figurat më të njohura të historisë së mundjes shkodrane, Dedë Bregu, i cili vlerëson vazhdimësinë e traditës së këtij sporti në Shkodër. Ky kampionat ka rëndësi të veçantë për moshat e reja, pasi shërben si një hap i parë drejt formimit të brezit të ri të mundësve shqiptarë dhe nxit zhvillimin e këtij sporti në vend.
