Besimtarët katolikë të Shkodrës kanë nisur kremtimet për festën e Zojës së Shkodrës, Pajtores qiellore të qytetit. Pavarësisht kushteve të paqëndrueshme atmosferike, qytetarë të shumtë morën pjesë në procesionin që përshkoi rrugët e kryeqendrës së veriut, duke shfaqur përkushtim dhe besim të thellë.

Procesioni nisi nga katedralja “Shën Shtjefni” dhe pjesë e tij ishte edhe Arqipeshkëvi i Arqidioqezës Shkodër–Pult, Imzot Giovanni Peragine. Me figurën e lartësuar të Zojës së Shkodrës, besimtarët ndaluan në disa pika të rëndësishme të qytetit për t’u lutur dhe për të përcjellë mesazhin e paqes dhe dashurisë. Mesha e shenjtë u parapri nga fjala e Imzot Peragines, i cili përcolli mesazhin e tij për këtë festë.

Në kuadër të festimeve, famullia “Zoja e Shkodrës” ka parashikuar edhe një sërë aktivitetesh kulturore e koncerte që do të zgjasin për disa ditë, duke e kthyer këtë periudhë në një moment reflektimi, uniteti dhe besimi për gjithë qytetin.