Në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës me iniciativën e këtij institucioni dhe muzikologut Qamil Gjyrezi u zhvillua mbrëmja kulturore “Piktura dhe Muzika në Muzeum”, një aktivitet që ndërthuri artin pamor me atë muzikor, duke sjellë një eksperiencë të veçantë për të pranishmit.

Në këtë aktivitet u çel ekspozita vetjake e piktorit Ahmet Malevija, me temë “Dialog me ngjyrat, nëpërmjet ekspresionizmit dhe abstraktes”, kuruar nga profesoresha Ermira Jahja. Piktori Malevija u ndal te përmbajtja dhe frymëzimi i krijimeve të tij, duke theksuar se çdo tablo është një dialog shpirtëror mes ngjyrave dhe emocioneve njerëzore.

Pas ekspozitës, publiku u përfshi në një tjetër dimension artistik me koncertin e flautistes së njohur Majlinda Spiro, nën emërtimin “Magjia e tingujve të flautit në muzeum”, ku u bashkuan edhe muzikantë dhe artistë të talentuar shkodranë.

Ky aktivitet ishte një tjetër dëshmi se Shkodra mbetet një vatër e gjallë e kulturës, që bashkon breza artistësh në nderim të shpirtit krijues.