Fondi i Muzeut Historik të Shkodrës u pasurua me disa objekte të rralla që lidhen me jetën dhe veprën e mjeshtrit të madh të artit shqiptar, Kolë Idromeno.
Përgjegjësja e muzeut, Majlinda Laçaj, u shpreh se ky dhurim përbën një pasurim të çmuar për trashëgiminë muzeale të qytetit, duke i dhënë mundësi vizitorëve të njohin më nga afër personalitetin e shumëdimensional të Idromenos.
Të pranishëm në ceremoni ishin trashëgimtarët e motrës Tone, të cilët dhuruan një skulpturë të Kolë Idromenos të realizuar 12 vite më parë nga skulptori Genti Tavanxhiu, si dhe disa objekte të tjera të çmuara që lidhen me familjen dhe krijimtarinë e tij.
Një tjetër risi është dokumentari që po përgatitet nga regjisori Vranin Gecaj, kushtuar jetës së motrës së artistit, Tone Idromeno, i cili ndodhet në fazën përfundimtare të realizimit.
Ky akt u vlerësua si një kontribut domethënës për pasurimin e trashëgimisë kulturore të Shkodrës dhe për nderimin e figurës së artistit të madh që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar.
