Skuadra e Vllaznisë së femrave i ka dhënë fund rrugëtimit në Kupat e Europës për këtë sezon, pas humbjes 5-0 në ndeshjen e kthimit ndaj Interit, e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Pjesa e parë ishte më e ekuilibruar, me disa tentativa të shkodraneve për të rrezikuar, por italianet kaluan në avantazh herët me golin e Bugejës në minutën e 8-të. Në fraksionin e dytë, Interi dominoi takimin duke realizuar edhe katër gola të tjerë me Pollin, Glionnan, Tomasellin dhe Detruyerin.

Trajneri Nikolin Leka deklaroi pas ndeshjes se përballja me Interin tregoi diferencat në cilësinë e kampionateve, ndërsa theksoi se skuadra do të përqendrohet tashmë në kampionat për të mbrojtur titullin kampion.

Pas këtij rezultati, Interi siguron kalimin në turin e tretë të “UEFA Women’s Europa Cup”, ndërsa Vllaznia mbyll me dinjitet pjesëmarrjen ndërkombëtare. Ndeshja e parë në Milano ishte mbyllur me shifrat 7-0 për skuadrën italiane.