Pas më shumë se 30 vitesh pritje, banorët e lagjes “Mark Lula” në Shkodër po shohin konkretisht fillimin e një investimi të shumëpritur. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, inspektoi nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës “Roza Lejn” dhe degëzimeve të saj, duke theksuar rëndësinë që ky projekt ka për përmirësimin e infrastrukturës dhe jetesës së banorëve të zonës.
Ky projekt i rëndësishëm parashikon ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve, asfaltimin dhe ndriçimin e plotë të 1.6 kilometrave rrugë të brendshme, nga të cilat përfitojnë mbi 2 000 banorë.
Investimi po realizohet përmes një bashkëfinancimi mes Bashkisë Shkodër dhe Qeverisë Shqiptare, duke i dhënë fund dekadave të mungesës së ndërhyrjeve publike në këtë lagje.
Në inspektim morën pjesë edhe anëtarja e Këshillit Bashkiak, Alma Mehmetaj, si dhe banorë të zonës, të cilët shprehën mirënjohjen për këtë investim që pritet të sjellë standarde më të mira jetese dhe zhvillim urban në një prej lagjeve më të vjetra të qytetit.
