Në kuadër të Ditës Botërore të Ushqimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit Shkodër ka vlerësuar rëndësinë e vazhdimësisë së kontrolleve për të garantuar sigurinë e produkteve që konsumojnë qytetarët. Drejtori i AKU Shkodër, Ramir Haderi, në një intervistë për RTSH u shpreh se puna e institucionit është e përditshme dhe e orientuar drejt kontrollit ushqimor përmes marrjes së mostrave dhe analizave laboratorike.
Sipas tij, inspektimet janë përqendruar tek subjektet me risk të lartë që tregtojnë pranë institucioneve arsimore, ndërsa vëmendje e veçantë i kushtohet kontrolleve të importit në pikat kufitare, veçanërisht në Han të Hotit, që mbetet pika më e madhe hyrëse në qark. Haderi thekson se deri tani në territorin e qarkut Shkodër nuk janë konstatuar problematika që lidhen me shëndetin publik të konsumatorëve.
Dita Botërore e Ushqimit synon të përcjellë mesazhin e ndërgjegjësimit për ushqim të sigurt, të shëndetshëm dhe të mjaftueshëm për të gjithë, duke theksuar rolin që kanë institucionet, bizneset dhe qytetarët në krijimin e një sistemi ushqimor të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.
