Sheshi para Bashkisë Shkodër u mbush me ngjyra, këngë e valle në edicionin e VII të organizimit tradicional “Vallja e Fitores”, që këtë vit mblodhi bashkë arbëreshë nga Italia, Greqia, Turqia etj. Aktiviteti i organizuar nga “Foleja Kombëtare Shqiptare” u shndërrua në një festë të vërtetë kulturore.

Nën ritmet e këngëve arbëreshe dhe me veshjet e tyre karakteristike, pjesëmarrësit sollën një atmosferë të ngrohtë, duke përçuar mesazhin e ruajtjes së rrënjëve dhe identitetit kombëtar.

Arbëreshët, me shekuj larg trojeve të të parëve, vijojnë të ruajnë me krenari traditat e tyre. Në Shkodër, ata përkujtojnë çdo vit betejat historike të Dejës, Drinit dhe Kirit, duke e kthyer këtë festë në një simbol të atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare.