Nga Qamil Gjyrezi
Profesor Arben Basha ka një C.V. shumë të pasur pedagogjike, artistike, kërkimore dhe intelektuale. Ai është muzikant me formim të lartë artistik e intelektual, pedagog dhe artist me mendje të hapur, si për studentët, ashtu edhe për kolegët në karrierën akademike dhe artistike.
Që në fëmijëri ka treguar aftësi të shkëlqyera muzikore dhe ndjeshmëri artistike, duke kaluar me sukses të gjitha etapat e formimit profesional. Në shkollën fillore ka luajtur në instrumentin e pianos, gjë që ka ndikuar shumë në formimin e tij si instrumentist dhe si pedagog i suksesshëm në planin artistik, pedagogjik dhe akademik.
Profesor Arben Basha ka lindur në Shkodër në vitin 1964. Studimet e para muzikore i fillon për piano në moshën 7-vjeçare pranë Liceut Artistik “Prenkë Jakova” në Shkodër dhe, në shkollën e mesme, kalon në instrumentin e kontrabasit. Në vitin 1987 përfundon studimet në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës (sot Universiteti i Arteve), në klasën e Prof. Filip Koleka. Menjëherë pas diplomimit emërohet asistent pedagog në klasën e kontrabasit pranë këtij institucioni, detyrë që e ushtron edhe sot.
Ai ka një eksperiencë pedagogjike 36-vjeçare dhe një numër prej 60 studentësh të diplomuar. Është hartues dhe përpunues i programeve pedagogjike për instrumentin e kontrabasit pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve të Tiranës. Ka realizuar transkriptime dhe përshtatje për kontrabas e piano nga veprat e kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj.
Në vazhdim të formimit të tij profesional, ka ndjekur disa kurse dhe workshope, ndër të cilat mund të veçojmë: specializim për muzikë dhome në Suedi (1993), leksione intensive nga Prof. J. Marc Rollez, titullar i Konservatorit Superior të Parisit (Francë, 1995), dhe specializim metodologjik në Konservatorin “N. Piccini” në Bari (Itali, 2001).
Krahas ngarkesës pedagogjike, ai ka qenë pjesëmarrës aktiv në jetën koncertore me Orkestrën e Harqeve të Universitetit të Arteve të Tiranës, Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën e TKOB-së, Orkestrën Simfonike të Universitetit “Bilkent” të Ankarasë (për sezonin 1993-1994), Orkestrën Filarmonike të Prishtinës, si edhe me shumë formacione të tjera muzikore.
Këndvështrimi i Profesor Bashës për instrumentin e kontrabasit
Sipas Profesor Bashës, kontrabasi nuk është vetëm instrument shoqërues e funksional, por edhe solistik. Ai ka meritën kryesore në promovimin e kontrabasit si instrument solist në Shqipëri. Është realizues i koncertit të parë recital për kontrabas dhe piano në Shqipëri, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tiranës, në vitin 1986.
Gjithashtu, ka interpretuar në publik disa nga veprat kryesore të literaturës për kontrabas, si: Suita e parë e Bach-ut, sonatat e Schubert-it (Arpeggione), De Fesch-it dhe Marcello-s; koncertet e Saint-Saëns (me piano), Dittersdorf-it dhe Dragonetti-t me Orkestrën e Akademisë së Arteve, si dhe nga Bottesini (Grand Duo Concertante) e Koussevitzky me Orkestrën e RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentëve Bujar Llapaj, Alqi Lepuri, Oleg Arapi dhe Eno Koço. Shumë nga këto interpretime janë regjistruar dhe ruhen në fondin e Radiotelevizionit Shqiptar.
Botimet
Në vitin 2018 botoi librat:
“Kontrabasi në veprat shqiptare” “Fragmente orkestrale për kontrabas nga repertori simfonik dhe operistik”, vëllimi I, II dhe III.
Aktualisht është titullar i klasës së kontrabasit në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe mban titullin “Profesor”.
Intervistë
1. A ka ndikuar instrumenti i pianos në lojën në kontrabas, në dorën e djathtë dhe të majtë?
– Po, ndihma e pianos ka qenë prezente në kompleks, por më vonë kam ndryshuar opinion. Mendoj se është më mirë të vish nga instrumentet me harqe, për të vazhduar me hark, dhe jo nga tastiera e pianos.
2. A të kanë zgjedhur mësuesit për kontrabas apo e ke zgjedhur vetë?
– Ishte sugjerimi i mësuesve, veçanërisht i mësues Rafaelit, për të kaluar në kontrabas.
3. Kontrabasi kërkon një përqendrim mendor të veçantë. Cila është ideja jote?
– Sigurisht. Për shkak të karakteristikave fizike të instrumentit, kërkohet një menaxhim i plotë fizik, mendor dhe emocional, sidomos si solist. Pas një përpjekjeje personale dhe institucionale, është arritur që kontrabasi të përfshihet në 7 vite studime parauniversitare; pra, tashmë fillon në klasën e 6-të.
4. Si e sheh të ardhmen e instrumentit të kontrabasit në Shqipëri dhe në cilën moshë duhet filluar?
– Perspektiva është pozitive. Pavarësisht situatës jo të mirë në disa shkolla muzikore europiane, kontrabasi, për fatin e tij si instrument shumëpërfshirës në orkestra, formacione, gjini dhe stile, do të jetë gjithmonë prezent dhe me perspektiva konkrete. Ky është edhe inkurajimi dhe motoja ime me studentët.
