Bashkia Shkodër ka përfunduar ndërhyrjen për pajisjen me dysheme të re në banesat e 28 familjeve të komunitetit rom, si pjesë e programit social për përmirësimin e kushteve bazë të jetesës. Investimi synon jo vetëm përmirësimin e mjedisit të banimit, por edhe rritjen e dinjitetit social të kësaj shtrese në nevojë.
Zëvendëskryetarja e Bashkisë, Teuta Qyteza, së bashku me stafin e Shërbimeve Sociale, vizitoi familjet përfituese për të parë nga afër punimet e përfunduara dhe për të dëgjuar nga vetë banorët ndryshimet që kanë sjellë këto ndërhyrje në jetën e tyre të përditshme.
Vetë familjet falënderuan Bashkinë Shkodër për kujdesin dhe mbështetjen, duke theksuar se vendosja e dyshemeve të reja ishte një nevojë e ngutshme, pasi lagështira dhe amortizimi i mëparshëm e bënin të vështirë jetesën.
Nëpërmjet kësaj nisme, Bashkia Shkodër vijon zbatimin e politikave sociale gjithëpërfshirëse, me synimin për të mos lënë askënd pas dhe për t’u dhënë çdo qytetari mundësinë të jetojë me dinjitet.
