Atletika vazhdon të mbetet ndër sportet më elitare të Shkodrës, duke ruajtur traditën e suksesit dhe vlerave që e kanë bërë këtë qytet një vatër të rëndësishme të sportit shqiptar. Masivizimi dhe gjithëpërfshirja në garat e ndryshme tregojnë për interesin e vazhdueshëm të të rinjve ndaj këtij sporti, ndërsa mbështetja financiare dhe infrastrukturore nuk ka munguar sipas kryetrajnerit Albert Marashi. 

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj, pohon se nga viti 2026 pritet të nisë një etapë e re për atletikën, pasi do të përfshihet në projekte të rëndësishme që synojnë nxitjen e pjesëmarrjes.

Në kuadër të nismës “Shkodra – Qyteti Europian i Sportit”, fundjava do të sjellë një tjetër aktivitet të rëndësishëm për këtë disiplinë: Kupa e Ikonave “Vildan Tufi”, një ngjarje që bashkon brezat e atletëve në nder të figurave që kanë lënë gjurmë në historinë e sportit shkodran.