Në mjediset e Qendrës Rinore “Atelie” u promovua romani “97 plagë”, libri më i ri i autores Rina Gjoni. Mësuese në profesion, por e lidhur ngushtë me artin e të shkruarit, Gjoni vjen me këtë botim si vazhdim i pasionit të saj letrar, pas dy librave të mëparshëm.

Romani trajton ngjarjet dramatike të vitit 1997 përmes një ndërthurjeje mes realitetit dhe fantazisë, duke sjellë emocione, dhimbje dhe reflektim mbi një periudhë të vështirë të historisë sonë të afërt.

Vlerësime për veprën ndau edhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, Zija Vukaj, i cili theksoi origjinalitetin dhe forcën e rrëfimit të autores.

Në këtë promovim morën pjesë lexues, kolegë dhe dashamirës të letërsisë. Diskutimet rreth librit sollën reflektime mbi mënyrën se si arti mund të shërbejë si mjet shërimi për plagët e së shkuarës.