Në teatrin “Migjeni” të Shkodrës u shfaq nata e parë e premierës “Kopshtet e pavarura të lumturisë”, një tragjikomedi me autor Albri Brahusha, i ndarë nga jeta mbi një vit më parë dhe vënë në skenë nga regjisori Hervin Çuli.
Publiku përjetoi një eksperiencë të veçantë, pasi u vendos në të njëjtën platformë me aktorët, duke e bërë shfaqjen më të afërt dhe duke krijuar një përjetim të bukur emocional.
Karakteret e kësaj shfaqje u realizuan nga aktorët Besmir Bitraku, Dajana Nenaj, Xhuliano Brisku dhe Fritz Selmani, të cilët sollën një lojë të natyrshme, të thellë e plot ndjenjë. Kjo premierë shënon gjithashtu fillimin e drejtimit të ri të Teatrit “Migjeni” nga Gerti Palali.
Shfaqja do të vijojë për publikun shkodran edhe më 11 dhe 12 tetor, në orën 19:00, në sallën e Teatrit “Migjeni”.
