Skuadra e vajzave të Vllaznisë është mundur me rezultatin 7-0 nga Interi në ndeshjen e parë të turit të dytë të Europa Cup, zhvilluar në Milano. Italianet dominuan që në minutat e para, duke siguruar avantazhin që në pjesën e parë me autogolin e Bajraktarit, dopietën e Wullaert dhe golin e Detruyer, që vulosën rezultatin 4-0 në pushim. Në fraksionin e dytë, Interi shtoi epërsinë me golat e Bugeja dhe dygolëshin e Polli-t duke mbyllur sfidën me shifrat e thella 7-0. 

Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka, e konsideroi këtë përballje si “një ditë të zezë” për skuadrën.

Leka shtoi se në ndeshjen e kthimit ekipi do të përpiqet të tregojë vlerat e veta në lojë, ndërsa falënderoi tifozët shqiptarë që e mbështetën skuadrën në Milano.

Ndeshja e kthimit Vllaznia-Inter do të luhet më 15 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 18:00.