Në një aksion të intensifikuar për mbrojtjen e pastërtisë dhe imazhit të qytetit, Bashkia Shkodër ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj çdo forme ndotjeje të hapësirave publike. Vetëm gjatë një jave, Policia Bashkiake ka konstatuar dhe gjobitur mbi 20 raste të hedhjes së mbetjeve pa kriter, në zbatim të rregullores bashkiake për menaxhimin e mbetjeve.

Altin Shabaj, Drejtor i Drejtorisë së Pastrimit dhe Gjelbërimit theksoi se çdo rrugë, lagje dhe pikë grumbullimi është nën monitorim të vazhdueshëm. Ai bëri apel që qytetarët të shmangin hedhjen e materialeve drusore, mobilieve apo orendive shtëpiake në koshet e zakonshme, pasi këto veprime dëmtojnë mjedisin dhe krijojnë ndotje vizuale në qytet.

Nga ana tjetër, Henri Faci, menaxher i kompanisë që kryen shërbimin e pastrimit, deklaroi se po monitorohen me kujdes intervalet e pastrimit dhe zonat problematike. Ai theksoi se ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve janë çelësi për një qytet të pastër dhe të jetueshëm.

Në kushtet kur sasia e mbetjeve urbane është në rritje, institucionet vendore nënvizojnë se ruajtja e mjedisit të përbashkët është përgjegjësi e secilit qytetar, ndërsa fushata për pastrimin e Shkodrës do të vijojë me kontrolle dhe masa të rrepta ndaj shkelësve.