Një nga ngjarjet më të dashura të muzikës qytetare, Festivali i Këngës “Luleborë”, këtë vit shënon edicionin e 10-të jubilar. Organizatorët kanë bërëpublike listën zyrtare të këngëve të përzgjedhura, bazuar në ftesën e hapur për pjesëmarrje të shpallur në prill 2025 dhe në shtyrjen e afatit të njoftuar në korrik 2025.
Ky festival, që prej themelimit, ka qenë një hapësirë për afirmimin e artistëve të rinj të qytetit si edhe atyre të përvojës. Në garë këtë vit do të jenë 16 këngë të reja origjinale, që mbajnë firmat e disa prej kompozitorëve më aktivë të skenës shkodrane e mbarëshqiptare si: Florent Boshnjaku, Ilir Zoga, Roland Guli, Edmond Mancaku, Klajdi Musabelliu, Leon Lekaj, Zaim Merkulaj, Laorjan Ejlli etj.

Festivali “Luleborë” është kthyer ndër vite në një pikëtakim të rëndësishëm të krijuesve, këngëtarëve dhe kompozitorëve, duke ruajtur karakterin autentik të muzikës shkodrane, por njëkohësisht duke u hapur ndaj risive dhe frymës bashkëkohore. Përmes këtij evenimenti, muzika e qytetit vijon të ruajë identitetin e vet, me tekstet poetike, meloditë e ndjera dhe shpirtin emocional që e ka karakterizuar përherë.
Fituesja e vitit të kaluar, Ana Bushgjokaj, ishte ajo që rrëmbeu zemrat e publikut dhe të jurisë me këngën “Nuk lulëzon pa Zot”. Edhe pse datat zyrtare të zhvillimit të festivalit nuk janë shpallur ende, sipas parashikimeve të organizatorëve, “Luleborë 10” pritet të mbahet në fund të muajit tetor, në një mjedis festiv dhe artistik që do të bëjë bashkë artdashësit shkodranë. “Luleborë” mbetet një ngjarje e rëndësishme artistike, ku dashuria, poezia dhe muzika ndërthuren për të sjellë çdo vit këngë të reja që pasurojnë fondin kulturor të qytetit dhe përtej.
