Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua këtë fundjavë prezantimi i librit të artistes pamore Alketa Ramaj, me titull “E kuqja që dëshiron të zbutet në trëndafil”.

Ky aktivitet u mbajt në kuadër të Javës Kulturore Gjermane dhe ishte pjesë e programit publik të “Homeward”, organizuar nga Fondacioni “Art House” në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës.

Gjatë takimit, artistja Ramaj ishte në një bashkëbisedim ku ndau përvojën e saj krijuese dhe konceptin e librit. Ky i fundit sjell një udhëtim përmes vizatimeve që lidhin trupin, gjestet dhe vetëdijen, duke e trajtuar këtë zhanër arti si një proces mësimi, shkrirjeje dhe transformimi të identiteteve njerëzore.

E lindur në Përmet, Alketa Ramaj është një ndër artistet pamore bashkëkohore më të vlerësuara në Shqipëri me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.