Në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës u zhvillua aktiviteti i organizuar nga Bashkia Shkodër dhe Shërbimi Social Shtetëror, me rastin e 1 Tetorit “Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve”. Në këtë ditë simbolike, u bashkuan institucione, përfaqësues vendorë dhe qytetarë në një atmosferë festive, ku u shfaqën edhe elementë të traditës dhe kulturës shkodrane.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, përshëndeti të pranishmit duke theksuar angazhimin e bashkisë për të ofruar më shumë shërbime sociale dhe aktivitete që u japin hapësirë e dinjitet të moshuarve në jetën e përditshme të qytetit.

Drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve Shkodër, Fatjon Hoxha, në fjalën e tij vlerësoi përkujdesjen dhe mbështetjen që po i jepet moshës së tretë, duke theksuar se respekti dhe dashuria për të moshuarit janë një detyrim moral e shoqëror. Atmosfera festive vijoi gjatë nën ritmet e dy artistëve shkodranë Savjana Vjerdha dhe Glerdit Turmetaj.