Në një takim të zhvilluar me trupën artistike dhe stafin e Teatrit “Migjeni”, u prezantua sot drejtori i ri i këtij institucioni kulturor, Gerti Palali. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Kulturës pranë Bashkisë Shkodër.
I diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, Palali ka spikatur si aktor, regjisor dhe producent, duke realizuar shfaqje teatrale dhe filmike të vlerësuara me çmime në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një bashkëpunim të hershëm me Teatrin “Migjeni”, gjë që e bën të njohë nga afër skenën dhe trupën e tij.
Gjatë fjalës së tij para trupës dhe stafit, drejtori i ri u shpreh se është një nder dhe përgjegjësi e madhe të marrë drejtimin e “Migjenit”, duke theksuar se së bashku me artistët dhe punonjësit do të punojë për t’i dhënë teatrit një dimension të ri dhe një vizion bashkëkohor.
“Është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua të drejtoj këtë tempull arti. Do të bëjmë maksimumin për të sjellë një frymë të re dhe për ta kthyer Teatrin ‘Migjeni’ në një qendër bashkëkohore të kulturës”, u shpreh ndër të tjera, Palali.
Gerti Palali është ndër të rinjtë që iu përgjigj thirrjes së Bashkisë Shkodër për të kontribuar në qytetin e tij, duke sjellë energjinë, pasionin dhe vizionin e tij në shërbim të artit dhe kulturës. Emërimi i tij pritet të sjellë një frymë të re, duke forcuar rolin e Teatrit “Migjeni” si një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
