Pas humbjes në finalen e Superkupës ndaj Besëlidhjes, Vllaznia e basketbollit për meshkuj do të përqendrohet tashmë në kampionatin kombëtar. Trajneri i skuadrës, Eni Llazani, u shpreh se sezoni i ri do t’i gjejë kuqeblutë me objektiva më modestë, të kushtëzuar kryesisht nga situata financiare e klubit.

Llazani shprehet se merkatoja e verës është fokusuar tek produkti vendës, me disa afrime që pritet t’i japin skuadrës më shumë stabilitet dhe alternativë në parket. Ai theksoi se gara për kreun do të jetë e fortë, duke përmendur rivalitetin e ekipeve që kanë investuar më shumë, por Vllaznia do të kërkojë të bëjë një paraqitje dinjitoze në kampionat.

Në fund, tekniku i kuqebluve ndalet edhe tek rritja e interesit të të rinjve për basketbollin në Shkodër, duke e cilësuar si një sinjal pozitiv për të ardhmen e këtij sporti në qytetin e traditës së koshit.

Pavarësisht sfidave, Vllaznia do të kërkojë të mbajë të gjallë pasionin e tifozëve shkodranë për basketbollin, duke u mbështetur tek energjia e lojtarëve të rinj dhe përvoja e elementëve kyç që do të udhëheqin skuadrën gjatë sezonit.