Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, inspektoi sot punimet që po zhvillohen në Muzeun e Lundrimit, një prej projekteve më të rëndësishme të transformimit të hyrjes së qytetit.
Bashkë me portin dhe parkun e madh të rekreacionit, më i madhi i ndërtuar ndonjëherë në Shkodër, ky muze pritet të shndërrojë të gjithë hapësirën hyrëse në një zonë moderne dhe të zhvilluar.
“Muzeu i Lundrimit është një vepër e jashtëzakonshme, që tregon se ne realizojmë atë që premtojmë,” – u shpreh kryebashkiaku Benet Beci gjatë inspektimit.
Punimet janë parashikuar të përfundojnë në qershor të vitit të ardhshëm, duke e kompletuar projektin edhe me një shesh të ri eventesh, i konceptuar për aktivitete kulturore e artistike.
Ky investim i madh do t’i japë Shkodrës një identitet të ri europian, ku kultura, historia dhe zhvillimi urban do të ecin paralelisht, duke e pozicionuar qytetin si një qendër tërheqëse për vizitorët dhe banorët.
