Në një nga pikat më të frekuentuara të qendrës së qytetit në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u zhvillua edicioni i 13-të i “Ahengut Shkodran”, eventi tashmë i kthyer në traditë, që mblodhi dhjetëra qytetarë dhe dashamirës të muzikës së vjetër shkodrane. Grupi “Karajfilat që ka Shkodra” shoqëroi artistët me interpretimet e tyre, duke sjellë atmosferën e vërtetë të ahengut.
Udhëheqësi artistik Bardhyl Hysa vlerësoi rolin e këngës popullore, duke e cilësuar atë një nga simbolet më të rëndësishme të qytetit. Mjeshtri Ilir Zoga ndali vëmendjen tek dy momente të veçanta që i paraprinë këtij edicioni: botimi i librit nga Fahri dhe Esmerald Djepaxhija dhe ndarja nga jeta e ashikut të ahengut, Agim Molla.
Emocione të veçanta përjetoi edhe këngëtarja shkodrane Albana Fani, e cila erdhi posaçërisht nga SHBA për të marrë pjesë në këtë event.
Organizuar nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, “Ahengu Shkodran” do të transmetohet i plotë në rrjetin e RTSH në ditët në vazhdim.
