Në mjediset e brendshme të stadiumit “Loro Boriçi” u zhvillua këtë të hënë aktiviteti festiv për 20-vjetorin e themelimit të trupës muzikore për persona me aftësi të kufizuara, organizuar nga OJF “The Door Albania”. Aktiviteti u hap me pjesë muzikore nga banda, duke sjellë emocione dhe duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
Organizatori Kastriot Faci, vë theksin në rëndësinë e përfshirjes sociale përmes artit dhe muzikës. Po ashtu, drejtuesi artistik Bepin Vjerdha vlerëson dy dekadat e punës dhe përkushtimit të kësaj trupe.
Një moment i veçantë ishte ndarja e çmimeve. Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, i akordoi bandës titullin “Nderi i Qarkut Shkodër”, ndërsa iu dha edhe çmimi i “Mirënjohjes” për Kastriot Facin dhe Bepin Vjerdha, për rolin e tyre në krijimin dhe mbështetjen e këtij formacioni muzikor. Aktiviteti në kuadër të 20-vjetorit shërbeu si motivim për vazhdimin e punës në shërbim të artit dhe përfshirjes sociale në Shkodër.
