Sheshi para Bashkisë Shkodër u mbush me atmosferë festive dhe motive kuqezi, ku u zhvillua edicioni i 18-të i “Lojëra Popullore Fest”. Ky aktivitet tradicional mblodhi bashkë përfaqësues nga trevat shqiptare, duke sjellë lojëra, muzikë dhe motive kulturore që ruajnë gjallë trashëgiminë brez pas brezi.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, e cila përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të traditave. Ajo u shpreh se Shkodra, si qendër e kulturës dhe historisë shqiptare, ka një rol të veçantë në mbështetjen e aktiviteteve që i japin jetë identitetit kombëtar.
“Lojëra Popullore Fest” është tashmë një traditë e “The Door” e cila tashmë edhe me mbështetjen e Bashkisë Shkodër synon të sjellë më pranë shqiptarët dhe të përcjellë vlerat e tyre te brezat e rinj, duke e kthyer Shkodrën në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës shqiptare.
