Biblioteka publike “Marin Barleti” çeli dyert për një ekspozitë të veçantë pikture, të realizuar nga disa prej fëmijëve të talentuar shkodranë, nën drejtimin dhe kujdesin e mësueses dhe piktores Teuta Lagja.
Në thelb të aktivitetit ishte mesazhi i fuqishëm për t’i larguar fëmijët nga ekranet dixhitale dhe për t’i afruar me artin si një mënyrë për të mësuar më shumë mbi botën dhe historinë e vendit të tyre. Për Teutën, ky është një mision edukues dhe një mënyrë për të zhvilluar shijen artistike dhe krijuese të brezit të ri.

Ekspozita përfaqëson një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin artistik të fëmijëve pjesëmarrës, duke i inkurajuar ata të shprehin lirisht talentin dhe imagjinatën e tyre përmes ngjyrave dhe formave.

Ky aktivitet shërbeu si një ftesë për prindërit, komunitetin dhe institucionet që të mbështesin sa më shumë iniciativat kulturore për fëmijët, duke i dhënë artit vendin që meriton në edukimin e brezit të ri.
